Breaking News

RAPORTI-Portalet gjobvënëse, shqetësim publik në Shqipëri dhe mes gazetarëve

Gjatë pesë viteve të fundit, peizazhi mediatik shqiptar ka pësuar një transformim të thellë me zgjerimin e mediave online. Nga njëra anë, kjo ka ndikuar në rritjen e aksesit në informacion dhe ka reduktuar kontrollin absolut që dikur ushtronin televizionet tradicionale dhe shtypi i shkruar. Nga ana tjetër, zhvillimi i pakontrolluar i këtyre mediave ka sjellë pasoja serioze për cilësinë e informacionit dhe etikën profesionale.

Mediat online kanë shërbyer shpesh si mjet për të sjellë në vëmendje publike ngjarje dhe skandale që më parë mbeteshin jashtë vëmendjes së publikut, për shkak të autocensurës ose interesave ekonomike e politike të mediave tradicionale. Ky zhvillim ka krijuar më shumë hapësirë për raportim të pavarur dhe për transparencë në çështje me interes publik.

Një terren i lirë për abuzime të rrezikshme

Megjithatë, kjo rritje e vrullshme nuk ka ardhur pa kosto. Një numër gjithnjë e më i madh portalesh janë krijuar në mënyrë të pakontrolluar, shpesh pa transparencë mbi pronësinë, pa struktura redaksionale të qarta dhe, më shqetësuesja, pa përgjegjësi editoriale.

Raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare sinjalizojnë për përdorimin e këtyre portaleve si mjete sulmi kundër individëve, grupeve politike ose aktorëve ekonomikë. Raste të shumta tregojnë se këto faqe, të cilat mund të ngrihen me pak investim, janë përdorur për shantazh, presion ndaj biznesit apo për llogari të grupeve politike dhe kriminale.

Një episod i denoncuar gjerësisht ndodhi disa muaj më parë kur policia shqiptare arrestoi dy efektivë policie dhe një gazetar për përhapje të qëllimshme të lajmeve të pavërteta kundër drejtuesve të lartë të policisë. Rasti nxori në pah ndërthurjen e rrezikshme midis strukturave të shtetit dhe mediave të përdorura si armë propagande apo denigrimi.

Raporti i DASH: korrupsion, shantazh dhe kontroll i tregut

Raporti vjetor i Departamentit të Shtetit mbi lirinë e medias në Shqipëri evidenton në mënyrë të prerë shqetësimin për fenomenin e “gjobëvënies” nga portale të caktuara ndaj bizneseve. Në dokument përmendet edhe rasti i rrjedhjes së të dhënave mbi pagat në dhjetor 2021 dhe janar 2022, ku u evidentuan pagesa të dyshimta për gazetarë dhe media të përfshira në propagandën për inceneratorët.

“Ka një lulëzim të mediave, veçanërisht online, që paraqesin një spektër të gjerë këndvështrimesh pa autorësi dhe pa llogaridhënie”, thuhet në raport. Por, theksohet më tej, “shumica e mediave janë në pronësi të biznesmenëve me interesa të shumëfishta, që i përdorin ato për përfitime politike, ekonomike apo si kundërpeshë ndaj rivalëve të tyre”.

Ekzistojnë “raporte të besueshme” se disa media përdoren për shantazh ekonomik, përmes publikimeve të porositura, shpifjeve apo kërcënimeve për ekspozim negativ nëse nuk paguhen.

Portale me emër të njollosur në raportime diplomatike

Në një raport të brendshëm të një agjencie diplomatike në Tiranë, që ka qarkulluar në rrjetin diplomatik dhe politik, thuhet se një grup biznesmenësh kanë depozituar ankesa zyrtare pranë ambasadave të huaja për disa portale të njohura, të cilat përmenden si jo* alb***ia; de****mi, p****ti vo*****s, non***ada, z**iri, etj.

Në mungesë të një mekanizmi të qartë vetërregullimi, dhe me një autoritet të dobët rregullator, këto portale funksionojnë në një mjedis të pakontrolluar dhe të papërgjegjshëm.

Treg i shkatërruar reklamash dhe mungesë transparence

Një tjetër problem i madh që rëndon mbi këtë situatë është gjendja e tregut të reklamave në Shqipëri. Në vend që bizneset të investojnë në reklama sipas kritereve të audiencës dhe impaktit, shpesh reklamat përdoren si mjet për të blerë heshtjen apo për të shmangur kritikat nga portalet problematike. Kjo sjell një përkeqësim të mëtejshëm të mjedisit të medias dhe nxit varësinë financiare të shumë mediave nga interesa jotransparente.

Më shumë liri, më shumë përgjegjësi

Rritja e mediave online ka sjellë më shumë mundësi për raportim, pluralizëm dhe denoncim. Por në mungesë të rregullimit të qartë dhe etikës profesionale, ajo ka hapur gjithashtu një derë të rrezikshme për keqpërdorim, shpifje dhe shantazh.

Nëse kjo liri nuk shoqërohet me standarde, transparencë dhe rregull, ajo mund të kthehet në armë kundër vetë interesit publik që pretendon të mbrojë. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për më shumë media, por për më shumë media të përgjegjshme. -tiranalajm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *