Aktivitetin e eliminimit të kundërshtarëve dhe pastrimit të parave të kokainës sipas SPAK, klani Çopja duket se kanë patur një ndikim të madh edhe në media duke paguar personazhe meditik që të thonin ato që ata at adonin.
Në njërën prej bisedave në SKY ECC, përmendet një moment se Çopjat i kanë dhënë një personazhi mediatik 120 mijë euro, me kushtin që të mos përmendeshin njerëzit e tyre në ekran.
Siç mëson Tirana Lajm, personi mediatik ka komunikuar me Franc Çopjan përmes një personazhi tjetër duke i kërkuar 120 000 euro si edhe duke shtruar pyetjen “kë nuk duhet të përmend?”.
Nga komunikimet në SKY, rezulton se Franc Çopja e ka porositur personazhin mediatik përmes një personi të tretë se nuk duhet të flasë për të (Franc Çopjen), Darin (Hajdar Çopjen), Talon (Talo Çelën), Kelin (Mikel Qosjen), Altinin (Altin Ndocin).
Prokurorja e çështjes beson biseda ka ndodhur në verën e vitit 2020 dhe konteksti lidhet me ekzekutimin mafioz të 29 dhjetorit 2018 të Endrit Alibejt; Erdal Durunayt dhe Arben Dylgjeri.
Gjithcka ndodh teksa prokuroria ka rënë në gjurmët e grupit që ekzekutoi personat e mësipërm ndërsa Erjon Alibej kishte nisur hakmarrjen e tij, në një kohë kur grupi i vrasësve të organizuar nga Talo Çela ishte shpartalluar pas sherrit për një makinë mes Klevis Alles dhe Altin Ndocit në Durrës.
Si i groposi Talo Çela një pjesë të parave
Një pjesë e mirë e eurove të fituara nga Talo Çela përmes grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit” në prill 2019 dhe eurove të fituara nga seriali i vrasjeve Peqin-Elbasan, janë investuar nga familja e Talos në Tiranë dhe Sarandë, kryesisht në biznes dhe blerje apartamenti.Ndërkohë nga hetimi është provuar se një pjesë është groposur në një fshat të Gjirokastrës të quajtur Cepo, ndërsa pjesa tjetër mbahej nga Talo në baza të fshehta ku strehohej me qëllim mos rënien në duart e policisë kriminale.
Bisedat e zhvilluara në “Sky”, kanë zbuluar se shumat financiare Talo Çela i pastronte përmes gruas së tij, Matilda Hoxholli, dhe një pjesë përmes vajzës së tij, A.H.
Policia dhe BKH ka rënë krejt rastësisht në gjurmë të vajzës së Talos, pasi nga bisedat ai fliste me vajzën A.H, por njëherësh u kuptua se kishte përdorur një mekanizëm shumë të veçantë për të zhdukur emrin e tij dhe nga fëmija biologjik.
Qëllimi ka qenë që “Dhelpra” të mos linte gjurmë mbi lidhjet e ngushta të familjes, çka do sillte një detaj më shumë për të mos u ndjekur nga policia, përmes vajzës apo gruas së tij.
Nga analizimi i bisedave në “Sky” prokurorja Doloreza Musabelliu ka zbuluar se për të humbur çdo gjurmë mes tij dhe familjes, Talo Çela kishte përdorur një truk shumë domethënës, duke ndryshuar në Gjendjen Civile emrin e babait të vajzës nga “Talo” në “Korab”, një person ky që pas shumë verifikimeve rezultoi se nuk ekzistonte.
Në 9 korrik 2020, Matilda Hoxholl bisedon me Talo Çelën, të cilin e informon duke i thënë se do të shkojë në Gjirokastër për të groposur lekët që ka në shtëpinë e saj në Tiranë.
Sipas bisedës vlerat monetare Matilda Hoxholli do t’i groposi te shtëpia e nënës së saj që ndodhet në Njësinë Administrative “Cepo”, Gjirokastër.
Përmbajtja e disa prej mesazheve që Matilda Hoxholli i dërgon Talo Çelës është si më poshtë vijon:
“…Unë nesër po bëj letrat e “bencit”, se mbarojnë në fundjavë dhe do iki në gjirokastër dy dit se kam ca punë. Po do iki më shumë të çoj lekët t’i gropos në një vend te nëna në fshat se po rri gjithë siklet. Se më duket sikur do vinë nga momenti në moment…”.
Ndërkohë, në 10 korrik 2020 Matilda Hoxholli e informon Talo Çelën se i ka sistemuar lekët.
Përmbajtja e mesazheve që Matilda Hoxholli i dërgon Talos është: “…Gjesi, Mir jam i sistemova ato tani jam në Sarandë te Mira…”.