Sipas SPAK emri i Darjo Jashari , dhëndrin i Shefqet Kastratit , qëndron në qendër të një prej aferave më të mëdha të kontrabandës me cigare të zbuluar ndonjëherë në Shqipëri. Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Jashari ka drejtuar së bashku me të atin, Ilir Jashari, një rrjet kriminal të sofistikuar që operonte përmes fabrikës “Albania Tabak” në Librazhd, duke abuzuar me statusin fiskal të përpunimit aktiv për të shmangur taksat dhe për të hedhur në treg cigare të pa fiskalizuara.
Përmes manipulimit të të dhënave në sistemin doganor “Asycuda World” dhe përdorimit të marrëveshjeve të simuluara me kompani të huaja, ngarkesat deklaroheshin si të eksportuara, ndërkohë që përfundonin në tregun e brendshëm ose kontrabandoheshin më tej në vende të Bashkimit Europian. Dëmi i përllogaritur për buxhetin e shtetit shqiptar është rreth 40 milionë euro, ndërsa humbjet për shtetet e BE-së shkojnë në mbi 12 milionë euro.

Në këtë dosje SPAK ka përfshirë edhe zyrtarë të doganave, të cilët dyshohet se kanë lehtësuar këtë skemë përmes “çlirimit” të mallrave që nuk kanë lëvizur realisht nga territori. Kjo ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi nivelin e përfshirjes dhe ndikimit që mund të ketë pasur vetë Shefqet Kastrati në lehtësimin e operacioneve të dhëndrit të tij, nisur nga fuqia e tij e njohur në biznes dhe marrëdhëniet me strukturat shtetërore.
Megjithëse nuk ka prova të drejtpërdrejta për përfshirjen e Kastratit në këtë aferë, lidhja familjare dhe fakti që aktiviteti kriminal ka vijuar për vite të tëra pa u prekur nga asnjë kontroll real, ngrenë dyshime të forta për mbështetje ose tolerim në nivele të larta.
SPAK ka vendosur masa arresti për Darjo dhe Ilir Jasharin, ndërsa mbi 20 zyrtarë doganorë janë nën hetim. Lista e të pandehurve përfshin 35 emra nga fusha të ndryshme, nga drejtues fabrikash e financierë, deri te punonjës të institucioneve shtetërore.
Skandali i kontrabandës me cigare, në të cilin implikohet dhëndri i Kastratit, rihap debatet mbi lidhjet mes biznesit të madh dhe shtetit, si dhe paaftësinë – apo mungesën e vullnetit – për të kontrolluar marrëdhëniet e errëta që dëmtojnë rëndë ekonominë dhe konkurrencën e ndershme në vend. -tiranalajm