Një projekt për ndërtimin e një parku fotovoltaik në Gjoricë ka shkaktuar reagim të fortë nga banorët, të cilët kundërshtojnë përdorimin e tokave të fondit pyjor për këtë investim.
Sipas raportimeve, Bashkia Bulqizë ka dhënë me qira një sipërfaqe të konsiderueshme për realizimin e projektit energjetik, pa një konsultim të plotë me komunitetin lokal. Ky vendim ka ngritur shqetësime serioze për ndikimin në jetesën e banorëve.
Banorët theksojnë se kullotat që pritet të zëvendësohen nga panelet diellore janë jetike për blegtorinë, një nga burimet kryesore të të ardhurave në zonë. Ata paralajmërojnë se projekti mund të dëmtojë ekosistemin dhe të përkeqësojë kushtet ekonomike në afat të gjatë.
Në këtë kontekst, janë ngritur edhe dyshime mbi përfituesit e projektit sipas News24.
Emri i biznesmenit Marin Gjonaj është përmendur si i mundshëm investitor, megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar për përfshirjen e tij.
Po ashtu, gazetarë dhe analistë kanë sugjeruar për një lidhje të mundshme të projektit me ish-zyrtaren e lartë Belinda Balluku, duke e cilësuar sipërmarrësin si një “broker energjie” pranë saj. Këto pretendime mbeten të pakonfirmuara zyrtarisht.
Banorët kërkojnë transparencë të plotë dhe rishikim të vendimit, ndërsa paralajmërojnë protesta nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Ata kërkojnë ose kompensim për humbjen e tokave, ose zhvendosje të projektit në një zonë tjetër. /TL