Pasditen e kësaj të mërkure është vështirësuar qarkullimi në aksin Lozhan-Moglicë-Gramsh, të caktuar si aks alternativ pas bllokimit të atij Librazhd-Prrenjas.
Sipas informacioneve, mësohet se nga rruga e Gramshit janë lejuar të hyjnë drejt juglindjes dy kamionë. Këta të fundit kanë hapur krahun në anë të rrugës, por për shkak të lëvizjes së lartë të mjeteve, është krijuar një ngërç në qarkullim.
Lëvizja e mjeteve po bëhet e ngadalësuar ndërsa në këtë segment sapo ka mbërritur policia e qarkullimit të Korçës.
Rruga që lidh Librazhdin me Prrenjasin është shembur dhe është bërë e pakalueshme që nga data 21 shkurt 2026.
“Izolimi” i juglindjes ka çuar në akuza të ndërsjellta mes palëve politike.
Kreu demokrat Sali Berisha ka akuzuar qeverinë e Ramës për situatën, duke u shprehur se shembja ndodh, për shkak të korrupsionit në ndërtimin e akseve rrugore.
Ndërsa, kryeministri Edi Rama shprehet se shkak për shembjen është përbërja gjeologjike në atë zonë.
Një ditë më parë, në një konferencë për mediat, kreu i ARRSH-së Ami Kozeli ka njoftuar se do të ndërtohet një rrugë e re alternative.