Biznesmeni i ndërtimit Orest Sota qëndroi për afro 5 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku dha shpjegime në kuadër të hetimeve për skandalin e AKSHI-t, një nga dosjet më të nxehta të momentit që lidhet me dyshime për manipulim tenderash dhe ndikim të paligjshëm në institucionet publike. Ai arriti të shmangë vëmendjen e kamerave në hyrje të SPAK, ndërsa burime konfirmojnë se është pyetur në detaje për njohjen dhe raportet e tij me Ergys Agasin, i shpallur në kërkim dhe i konsideruar si një nga figurat kyçe të këtij rrjeti.

Sipas hetimeve paraprake, Agasi dyshohet se ka ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në procedurat tenderuese në AKSHI, duke orientuar fituesit dhe duke përdorur metoda presioni ndaj operatorëve të tjerë ekonomikë. Në këtë kuadër, emri i Sotës del si një nga hallkat që po verifikohen, si në aspektin e marrëdhënieve personale, ashtu edhe në atë financiar.
Sota nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai u arrestua vite më parë në një nga episodet më të bujshme, ku në automjetin e tij u gjetën rreth 680 mijë euro dhe dokumente që i përkisnin ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në vitet e fundit, ai ka vijuar aktivitetin në sektorin e ndërtimit dhe është përfshirë në një sërë projektesh, ndërsa paralelisht ka mbajtur lidhje biznesi me persona që sot janë në fokus të SPAK.
Mirlinda Karçanaj te apartamenti i Orest Sotës
Një nga elementët më të ndjeshëm që po hetohet lidhet me marrëdhënien mes Orest Sotës dhe ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Sipas dëshmive të administruara nga prokurorët, Karçanaj ka qëndruar me qira në një apartament në pronësi të Sotës, një fakt që ka ngritur dyshime për natyrën reale të kësaj marrëdhënieje.
Vetë Karçanaj ka deklaruar se banesën e ka gjetur rastësisht përmes një njoftimi të vendosur në një parukeri, duke mohuar çdo lidhje direkte apo ndërmjetësim. Megjithatë, hetuesit po verifikojnë nëse kjo marrëdhënie qiraje ka qenë thjesht një rastësi, apo një mekanizëm për të fshehur një lidhje më të gjerë mes aktorëve të përfshirë në dosje.
Në të njëjtën kohë, hetimet janë shtrirë edhe mbi pasuritë e deklaruara dhe të përdorura nga Karçanaj. Sipas të dhënave, ajo ka qëndruar në vila në Qerret dhe Palasë, të regjistruara në emra të tjerë, ndërsa vetë ka pranuar përdorimin e tyre për pushime, por ka mohuar pronësinë. SPAK po përpiqet të provojë nëse këto prona janë në fakt të lidhura me të dhe me persona të tjerë në rrjet.
Shitja me urgjencë e Fortis Beton
Një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është shitja e menjëhershme e kompanisë “Fortis Beton”, në pronësi të Orest Sotës. Sipas dokumenteve, ai ka transferuar të gjitha kuotat e kompanisë për një vlerë prej rreth 30 mijë euro, një shifër që konsiderohet shumë e ulët krahasuar me xhiron milionëshe që kompania kishte realizuar gjatë vitit 2025.
Transaksioni është kryer me kompaninë “Forever Construction”, e cila rezulton në pronësi të babait të Sotës, ndërsa marrëveshja është firmosur nga administratori i saj. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një transaksion formal për të zhvendosur pasuritë brenda familjes, në një moment kur hetimet e SPAK po thellohen.
Një tjetër element që po verifikohet është fakti se bilanci financiar i “Fortis Beton” është dorëzuar me vonesë dhe vetëm pas realizimit të shitjes, çka shton dyshimet për tentativa për të fshehur gjurmët financiare ose për të shmangur një sekuestrim të mundshëm të pasurive.
Ndërkohë, SPAK ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, përfshirë kontrolle në disa banesa në Tiranë, Qerret dhe Palasë, si dhe verifikime të thelluara të lëvizjeve financiare dhe marrëdhënieve të biznesit mes personave të përfshirë.
Deri në këtë fazë, ndaj Orest Sotës nuk është shpallur një masë sigurie, por fakti që ai është thirrur disa herë në SPAK dhe po pyetet në mënyrë intensive tregon se ai mbetet një nga figurat kyçe në këtë dosje.
Zhvillimet e ardhshme pritet të përcaktojnë nëse provat e mbledhura do të çojnë në akuza konkrete dhe masa arresti. /TL