Breaking News

Nga akuzat për spiunazh te kthimi i anijes ushtarake në lokal dasmash, ana tjetër e një koloneli të shkarkuar me turp

Shqipëria nuk po gjen derman në lidhje me pronat e ushtrisë, të cilat janë zaptuar nga oligarkët, por edhe me vetë ushtrinë, e cila ka patur në gjirin e saj personazhe sa groteske aq edhe qesharake, të cilët në mendjen e tyre kanë luftuar sa me NATO-n ashtu edhe me Traktatin e Varshavës.

Janë histori që tregohen në netë të gjata dimri nën zjarrin bubulak si edhe gështrenjat që ja bëjnë “krak”, por çuditërisht në Shqipëri histori dhe banalitete të tilla i sheh në studio televizive nga personazhe me lidhje të dyshuara të nëndheshme dhe me agjenda të caktuara.

SHIH VIDEON

Artur Meçollari u bë fillimisht i njohur për publikun aty nga viti 2016-2017 pas akuzave publike si spiun i shërbimeve të huaja jomike, ndërkohë që ishte pjesë e grupit negociator për detin.

Dua të denoncoj me ashpërsinë më të madhe vendosjen në kryer të grupit të një ish-spiuni të FA i larguar pas dokumentimeve të Shërbimit Informativ”, u shpreh opozita në atë kohë përmes informacioneve nga brenda ushtrisë duke shënjestruar pikërisht Meçollarin.

Në atë kohë ai u thirr nga ministrja për të dhënë shpjegime, por më pas nuk u mor më vesh çfarë ndodhi.

Pasi bëri një vrimë në ujë, me harta dhe përralla mbi detin, Mecollari u detyrua të tërhiqej.

Ai del për herë të dytë në skenë në rolin e dekoruesit të sallave të dasmave.

Në rastin në fjalë, nuk kemi të bëjmë me një sallë dasmash, por me një anije ushtarake shqiptare, për të cilan ish-zv.komandanti i Flotës, pikërisht Meçollari jep urdhër që të zbukurohet me lule, shirita tëbardhë dhe të gjitha takëmet që përdoren në rastet e zbukurimit të restoranteve ku pasi futet çifti, shqyhet mish e pihen birra deri në mëngjes.

Pasi u kap në flagrancë nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Meçollari me të drejtë shkarkohet nga detyra pasi kishte përdhosur figurën e ushtrisë së vendit, por mbi të gjitha, kishte vendosur një anije ushtarake në shërbim të qejfeve të dasmorëve.

Operimi i anijieve të tilla është i kushtueshëm, nuk dihet nga e gjeti guximin ish-zv.komandanti i Flotës për ta kthyer në lokal dasmash.

Pasi u shkarkua me ceremoni nis edhe opozitarizmi i Meçollarit. Deri sa ishte në detyrë, ky komandant legjendar nuk kishte hasur asnjë problem për mënyrën se si qeverisej vendi apo si drejtohej ushtria.

Si opozitar pasi e hoqën nga puna, Artur Meçollari nis të shëtisë studiot televizive përmes lidhjeve të tij të çuditshme me segmente të caktuara aty dhe akuzon Xhaçkën e të tjerë për shkelje, ndërkohë që shkelësi ishte ai vetë.

Për hir të së vërtetës, nuk ka të dhëna nëse Meçollari është apo jo spiun, pasi kushdo që akuzon për diçka të tillë duhet të nxjerrë dokumente, por fakt është se ka marrë pjesë aktive (nuk dihet nëse ka dhënë urdhër apo e ka zbukuruar vetë) në dekorimin e anijes luftarake për ta vënë në shërbim të qejfeve të miqve të tij dasmor për të rrëkëllyer më pas raki, shampanjë e birra si ahengxhinj dhe pijanecë mejhanesh mbi Flotën Detare të vendit.

Të paktën Meçollari duhet pyetur për diçka të tillë kur del në media. /TL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *