Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë arrestuan 32-vjeçarin Klevis Berberi pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën si oficeri i kredisë në Banka Credins në Tiranë duke mashtruar një 54-vjeçare.
Policia bëri me dije sot se 32-vjeçari kishte falsifikuar një dokument duke i shitur një pronë të paluajtshme 54-vjeçares, ndërkohë që ajo ishte e bllokuar si kolateral për kredinë që ai kishte marrë më herët.
Duke mos e ditur këtë, 54-vjeçarja ka bërë pagesën e 108 mijë eurove duke menduar se tashmë e kishte blerë pronën, por më kot pasi Klevis Berberi, me detyrë officer kredie në Credins Bank kishte plane të tjera.
Sipas rregullave, një pronë e lënë si kolateral në bankë mund të shitet vetëm nëse jepet pëlqimi i bankës ose pasi të jetë shlyer shuma, por Berberi ka përfituar duke falsifikuar dokumentet.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizuan operacionin “Banker”.
Në kuadër të këtij operacioni u ndalua me iniciativë shtetasi K. B., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Mashtrimi” me pasoja të rënda, dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
32-vjeçari, nëpërmjet mashtrimit, duke shpërdoruar detyrën, i ka marrë shumën prej 108 000 euro shtetases F. M., 54 vjeçe, duke falsifikuar deklaratën noteriale të bankës me qëllim përvetësimin e kësaj shume dhe të pronës që do të blihej nga ajo.
Pasi është nënshkruar akti notarial për blerjen e pronës, shtetasja F. M., duhet të ishte pronare e vetme e kësaj prone, ndërkohë që shtetasi K. B., ka shitur pronën që ka qenë e vendosur kolateral për llogari të një banke të nivelit të dytë.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. -TLAJM