Breaking News

Orest Sota në radarin e SPAK , i dha apartamentin shefes së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj : Çfarë zbuluan hetimet, gati prangat

Detaje të reja kanë dalë nga hetimi i SPAK për ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke zbuluar lidhje të reja me biznesmenin e ndërtimit Orest Sota dhe lëvizje financiare që po verifikohen nga prokurorët.

Në qendër të hetimit është fakti se Karçanaj ka qëndruar me qira në një apartament në pronësi të Orest Sotës, një emër që del vazhdimisht në dosjen e AKSHI-t si person i lidhur me Ergys Agasin dhe aktivitetet e “nëntokës”.

Sipas dëshmive të administruara nga SPAK, vetë Karçanaj ka deklaruar se banesën e ka gjetur rastësisht përmes një njoftimi në një parukeri, duke mohuar çdo lidhje apo orientim. Por hetuesit po verifikojnë nëse kjo marrëdhënie qiraje ka qenë thjesht rastësi apo pjesë e një rrjeti më të gjerë lidhjesh me ne4 qendër Ergys Agasin dhe Orest Sotën si njeriun që çon në vend porositë e tij.

Zhvillimet vijnë pas dëshmisë së ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, i cili ka dhënë tre deklarime në SPAK dhe ka zbuluar detaje mbi procedurat tenderuese dhe pasuritë që dyshohet se lidhen me Karçanajn.

Orest Sota dhe Ergys Agasi që është nën hetim nga SPAK Sota sipas gazetarit Qyno i dha me qira apartamentin shefes së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj : Çfarë zbuluan hetimet, gati prangat

Në bazë të këtyre dëshmive, SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj Karçanajt, Ergys Agasit dhe biznesmenit Ermal Beqiri, ndërsa janë kryer kontrolle në disa zona, përfshirë Tiranën, Qerretin dhe Palasën.

Sipas Shimës, Karçanaj ka përdorur dy vila luksoze në Qerret dhe Palasë, të regjistruara në emra të tjerë. Vetë ajo ka pranuar se ka qëndruar në këto prona për pushime, por ka mohuar të jetë pronare.

Hetimet kanë zbuluar se vila në Palasë rezulton e regjistruar në emër të një personi të lidhur me Daniel Shimën, ndërsa prona në Qerret figuron në emër të një shtetasi nga Kukësi, i cili është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni për detajet e pronësisë.

Pas këtyre zhvillimeve, prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kanë urdhëruar kontrolle në katër banesa, përfshirë edhe shtëpinë e nënës së Karçanajt në Tiranë, ku ajo ndodhet aktualisht në arrest shtëpie.

Qëllimi i kontrolleve është gjetja e provave që mund të lidhin drejtpërdrejt Karçanajn me këto pasuri dhe me aktivitetet e dyshuara penale.

Ndërkohë, deklaratat publike për jetesën e saj “me qira” janë vënë në pikëpyetje nga verifikimet e pasurisë, të cilat tregojnë se Karçanaj zotëron katër apartamente dhe një ullishte prej 1,500 metrash katrorë.

E gjithë çështja është pjesë e një hetimi më të gjerë të SPAK për një rrjet të dyshuar brenda AKSHI-t, ku dyshohet për abuzime me tendera publikë dhe përfshirje të disa zyrtarëve dhe biznesmenëve.

Lidhja me biznesmenin Orest Sota dhe mënyra se si janë përdorur apo regjistruar pasuritë pritet të jenë në fokus të hetimeve në vijim, ndërsa SPAK po analizon edhe lëvizjet financiare për të zbardhur rrjetin e plotë të marrëdhënieve. /TL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *