Ergys Agasi, i shpallur në kërkim bashkë me Ermal Beqirin si i dyshuar për drejtimin e një grupi kriminal që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, del në një tjetër episod të fortë të dosjes së SPAK.
Sipas dëshmisë së biznesmenit Orest Sota, Agasi jo vetëm kishte përdorur një zyrë brenda kompleksit “Equos Resort”, por më pas kishte kaluar në emrin e tij edhe prona të resortit, të cilat lidheshin me biznesmenin Klodjan Allajbeu.
Orest Sota ka deklaruar para hetuesve se babai i tij, Lefter Sota, kishte lidhur një kontratë me Klodjan Allajbeun për ndërtimin e disa vilave në kompleksin “Equos”. Pagesat, sipas tij, do të kryheshin me klering dhe me vilat që do të ndërtoheshin në resort.
Në këtë marrëdhënie, sipas dëshmisë së Sotës, shfaqet edhe emri i Ergys Agasit, me të cilin ai kishte miqësi. Sota ka pohuar se Agasit i ishte lënë një zyrë brenda “Equos Resort”, ambient ku më vonë, sipas dosjes, u gjetën edhe shishe vere me vlerë mijëra euro.
Por pjesa më e rëndë e dëshmisë lidhet me pronat e resortit. Orest Sota ka deklaruar se më vonë kishte mësuar se pronat e “Equos Resort” kishin kaluar në emër të Ergys Agasit, pa qenë ai vetë në dijeni të këtij procesi.
“Tek Equos Resort nuk kishte asnjë pronë. Pas kontratës së shitjes me Klodjanin nuk u bënë ndryshime në QKB me administratorin e subjektit Equos, për arsye se nuk ishin bërë pagesat dhe unë nuk mora asnjëherë administrimin e pronës. Unë nuk jam marrë me administrimin e Equos.
Më pas kam mësuar se Ergysi ka kaluar pronat e Equos Resort në emër të tij. Këtë gjë e kam mësuar nga shtetasi Klodjan Allajbeu. Kur ka ndodhur ky proces unë nuk kam qenë në dijeni. Kur ka ndodhur kjo, Ergysi nuk ka folur me asnjeri, as nuk ka pyetur njeri dhe as nuk ka bërë asnjë akt noterial lidhur me këto”, ka deklaruar Orest Sota.
Kjo dëshmi e vendos Agasin në qendër të një tjetër dyshimi, përtej rolit që SPAK i atribuon në skemën e dyshuar kriminale brenda AKSHI-t. Sipas deklarimit të Sotës, kalimi i pronave në emër të Agasit është bërë pa dijeninë dhe pa miratimin e tij, ndërsa ai vetë pretendon se nuk kishte marrë as administrimin e pronës.
Pronat që rezultojnë të regjistruara në emër të Ergys Agasit janë sekuestruar nga SPAK. Në të njëjtën dosje, Prokuroria e Posaçme ka vendosur nën sekuestro edhe pasuri të personave të tjerë të dyshuar, përfshirë ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Agasi dhe Beqiri dyshohet se kishin ngritur një strukturë kriminale që vepronte përmes presionit, shantazhit dhe dhunës ndaj biznesmenëve. Sipas dyshimeve të SPAK, grupi përdorte edhe një skuadër me tipare paramilitare për të rrëmbyer dhe kërcënuar biznesmenë, me qëllim që ata të tërhiqeshin nga tenderat publikë.
Dosja e SPAK ka nxjerrë në pah lidhje mes tenderave, pronave, ndikimit brenda institucioneve dhe pasurive të dyshuara të personave të përfshirë. Dëshmia e Orest Sotës shton një tjetër element në këtë hetim, duke e lidhur Ergys Agasin edhe me kalimin e pronave të “Equos Resort” në emër të tij.