Belind Këlliçi bëri deklarata të forta sot nga podium para Bashkisë së Tiranës duke tërhequr edhe njëherë vëmendjen nga binomi pastrim parash-pushtet nëpërmjet emrit të Armand Lilos.
Duke iu referuar parave që hidhen në media për të sulmuar opozitën si edhe mbi lidhjet e personazheve me të shkuar të errët dhe lidhjeve politike, Këlliçi mori shembullin e Armand Lilos që ka ndërtuar shtatë kate pa leje në mes të Tiranës, përmes kullës Eye Of Tirana, e cila është produkt i një rrjeti kompanish në pronësi të Lilos, përfshi edhe një bankë.
Bëhet fjalë për Bankën Credins, ku Armand Lilo është një ndër aksionerët kryesorë përmes kompanisë ARMAAR Group duke e përdorur si kamuflim për veprimet financiare, të cilat duhet të jenë objekt i një hetimi të thellluar për pastrim parash. Sa i përket shtatë kateve pa leje të Lilos në qendër të Tiranës dhe bëmave të tjera me bankën, Këlliçi theksoi se këto afera janë marrë nën hetim nga SPAK.
Bëhet fjalë për një ndër bizneset që figuron me flamur të kuq në agjencitë ndërkombëtare me fokus Shqipërinë dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin e pastrimit të parave.
Krahas bankës, Lilo zotëron një numër të madh biznesesh të tjera si Arlis Ndërtim; Arlis Administrim; Sharp Energy; Arsol, etj.
Por kush është Armand Lilo, e shkuara e tij dhe cilat janë lidhjet e tij me politikën?
Kush është Armand Lilo?
Sipas mediave, Arman Lilo është një emër jo pak i njohur. Njihet si kunati i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.Vjeshtën e 2019-s, emri i tij u lakua për lidhjen me ish-prokurorin Besnik Muçi, i zgjedhur edhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese, por i shkarkuar nga vettingu.
Arsyeja e shkarkimit të tij ishte kontakti me biznesmenin Armand Lilo, që nga organet e vettingut u cilësua si “kontakt i papërshtatshëm”.
Ligji për vettingun konsideron kontakt të papërshtatshëm persona të dyshuar, akuzuar, hetuar apo dënuar për lidhje me krimin e organizuar, pjesëmarrje në trafiqe apo krime të tjera të rënda. Lilo është një i tillë sipas organeve të vettingut.
Përfitimet e Armand Lilos me pronat e shtetit
Më herët, ish deputeti Belind Këlliçi bëri me dije se ka komunikime dhe fakte që tregojnë se Lilo është i favorizuar dhe i përkëdhelur nga Bashkia Tiranë dhe kryebashkiaku Veliaj.
Këlliçi ilustroi me raste konkrete se si lidhet kompania “Arlis Ndërtim” i Armand Lilos me Veliajn.
“Më 21.09.2017, Erion Veliaj i jep kësaj kompanie një leje ndërtimi për projektin famoz në rrugën e Kavajes SQUARE 21, pronë mbi të cilën janë të regjistruara disa ndërtesa në pronësi të shtetit.
Për të mbuluar lejen që Veliaj jep për Arlis-Ndërtim mbi godinat shtetërore dhe për të shtuar fitimet e Armand Lilos, disa muaj më vonë, me propozim të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, miratohet VKM Nr. 285, datë 21.05.2018, që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë 13 prona dhe ndërtesat mbi to, për zhvillim ekonomik.
5 muaj më vonë, me anë të vendimit të Këshillit Bashkiak Nr. 146, datë 15.11.2018, Bashkia Tiranë dhe “Arlis Ndërtim” nisin negocimin për ndërtimin e një godine disakatëshe në funksion dhe favor të Bashkisë Tiranë, dhe në këmbim Bashkia do t’i jepte kompanisë “Arlis Ndërtim” trojet e lartpërmendura, si dhe do të miratonte prishjen e të gjitha godinave të kaluara me VKM në pronësi të saj.
Bëhet fjalë për pasurinë truall 6399.78 m2 dhe 5903.39 m2 ndërtesa mbi të, por që më pas, bashkia i deklaron të shembura totalisht.
Bashkia Tiranë do të miratonte dhe shembjen e godinave të administratës së Bashkisë Tiranë, me drejtorinë e taksave dhe Policinë Bashkiake.
Nga ana tjetër, “Arlis Ndërtim” do të ndërtonte për llogari të Bashkisë Tiranë një godinë 5-katëshe, me sipërfaqe 4400 m2.
Historia vijon me disa vendime të tjera të Këshillit Bashkiak, në kohën kur ishte e gjitha në duart e socialistëve, të cilat shtojnë sipërfaqen e truallit, dhe zvogëlojnë sipërfaqen e godinave mbi të.
Pra, Erion Veliaj dhe favoret e tij ndaj kompanisë “Arlis Ndërtim” e Armand Lilos, janë të shtrira në pazare financiare të pastra, por për këto pazare kryebashkiaku do të duhet të japë sqarime përpara drejtësisë.
Belind Këlliçi bëri me dije se këto fakte do të dërgohen në SPAK në duart e kreut të Prokurrorisë së Posaçme, Altin Dumani.
Armand Lilo, pronari i kompanisë “Arlis Ndërtim”, lejohet të ndërtojë në mes të kryeqytetit një pallat 7 katësh pa leje dhe Bashkia nuk e shikon. Përfiton prona shtetërore dhe sërish askush nuk vepron dhe e lejon të vazhdojë aktivitetin e tij, i cili përbën shkelje të veprës penale, pasi të ndërtosh pa leje është një vepër penale dhe ka sanksione.
Një qytetar i thjeshtë do të bënte burg ose do dënohej në një formë tjetër nëse do të ndërtonte pa leje ashtu siç ka ndodhur në raste që janë raportuar më herët, ndërsa për Armand Lilo jo vetëm që nuk merret asnjë veprim, por lejohet që të blejë edhe aksionet e Credins Bank, duke futur duart në një prej sektorëve strategjik dhe tepër delikat të vendit. /TiranaLajm